Organizata Humanitare KALLIRI I MIRËSISË, hap thirrje publike për:
Trajnim për sipërmarrësi dhe konsultime të jashtme biznesi
Detajet për kontakt
| Adresa: Samoilova, 78 – 1000, Shkup | |
| Personi kontaktues: Zyra e prokurimit – OH Kalliri i Mirësisë | Telefoni: 02 3112 629 |
| Email: info@kalliri.org | |
Përshkrimi
Organizata Humanitare Kalliri i Mirësisë zbaton projektin „Youth ICT and Start-up Hub North Macedonia“, në kuadër të të cilit 30 pjesëmarrës përfunduan me sukses fazën e parë – trajnimin profesional në fushën e CCNA/CCNP dhe Full Stack.
Për realizimin e fazës së ardhshme, OH Kalliri i Mirësisë fton kompani dhe organizata të regjistruara të paraqesin ofertë për një paketë të plotë shërbimesh për trajnim në sipërmarrësi dhe konsultime të jashtme biznesi për të 30 pjesëmarrësit.
Lënda dhe fushëveprimi i shërbimit
1 – Trajnim dyditor për sipërmarrësi. Trajnim praktik për themelimin dhe menaxhimin e biznesit, hartimin e planit të biznesit dhe marketingut, kontabilitetin bazë, operacionet e biznesit, qasjen në programet shtetërore dhe të donatorëve dhe përgatitjen për fillimin e biznesit vetjak.
2 – Konsultime të jashtme njëditore për biznes. Këshillim praktik për të 30 pjesëmarrësit për zhvillimin e idesë së biznesit, zgjedhjen e formës juridike, regjistrimin e biznesit, detyrimet fillestare administrative dhe financiare dhe hapat konkretë vijues.
Ofertuesi duhet të sigurojë një shërbim të plotë dhe të organizuar për gjithsej tre ditë. Aktivitetet do të mbahen në hotel ose në një objekt të përshtatshëm konferencash në Shkup, në datat e dakorduara me ofertuesin e përzgjedhur.
Paketa duhet të përfshijë detyrimisht
- angazhimin e një trajnuesi të kualifikuar dhe një konsulenti biznesi, përfshirë përgatitjen dhe realizimin e programit;
- sallë hoteli ose konferencash me pajisje të përshtatshme, internet, projektor, sistem zërimi dhe mbështetje teknike;
- pije freskuese dhe drekë për 30 pjesëmarrësit dhe ekipin e angazhuar gjatë të tri ditëve;
- materiale pune, agjendë, lista të pjesëmarrjes, vlerësim, certifikata dhe raport të shkurtër përfundimtar;
- të gjitha shpenzimet e organizimit, transportit dhe/ose akomodimit të ekspertëve të angazhuar, tatimet dhe shpenzimet e tjera të ndërlidhura.
Kushtet dhe kriteret e përzgjedhjes
- ofertuesi të jetë person fizik ose person juridik i regjistruar me përvojë relevante në sipërmarrësi, zhvillim biznesi ose shërbime konsulence;
- ekspertët e propozuar të kenë arsimim përkatës dhe përvojë praktike në trajnim dhe këshillim për fillimin e biznesit;
- oferta të përmbajë metodologji dhe agjendë të shkurtër, profilet e ekspertëve, listë referencash dhe ofertë të qartë financiare;
- përzgjedhja do të bëhet sipas raportit më të mirë ndërmjet cilësisë së programit dhe ekipit të propozuar, organizimit të paketës dhe çmimit të përgjithshëm.
Oferta Financiare
Oferta financiare duhet të paraqitet veçmas për të dy linjat buxhetore dhe si çmim i përgjithshëm për tërë paketën, me TVSH dhe të gjitha shpenzimet e tjera të përfshira.
Mënyra dhe afati i dorëzimit të ofertave
Ofertat dorëzohen në zarf të mbyllur me shënimin: “Ofertë për trajnim në sipërmarrësi dhe konsultime biznesi – Kalliri i Mirësisë” personalisht në rr. Samoilova 78, 1000 Shkup, ose në mënyrë elektronike në info@kalliri.org
Afati i fundit për dorëzim: 24/09/2026 deri në orën 12:00. Ofertat e dorëzuara pas afatit nuk do të shqyrtohen.
Politikat dhe standardet etike
OH Kalliri i Mirësisë ka zero tolerancë ndaj shkeljes së politikës kundër mashtrimit, ryshfetit dhe korrupsionit, Kodit të Sjelljes dhe rregullave për respektimin dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme. Ofertuesi i përzgjedhur do të jetë i detyruar t’i respektojë këto standarde gjatë gjithë angazhimit.
Zyre për informim
O.H. Kalliri i Mirësisë
14/09/2026
Shkup – Maqedonia e Veriut
